
👋 Përshëndetje
☀️ Një javë kryesisht me diell na përcolli në Kosovë, ndërsa zhvillimet nuk munguan. Kuvendi miratoi deklaratën për aktgjykimin e Speciales dhe debati u zhvendos te ndryshimet e mundshme në ligj, ndërsa partitë shqiptare në Luginën e Preshevës u bashkuan për zgjedhjet në Serbi. Në sport, Kosova përgatitet për sfidën me Izraelin, kurse në botë vëmendje të madhe mori incidenti dramatik në fluturimin Dubai–Tel Aviv. Podcastet e Telegrafit e plotësuan javën me tema nga politika, futbolli dhe shëndeti.
📧 Duam ta përmirësojmë vazhdimisht newsletter-in tonë dhe për këtë na duhet mendimi juaj, kemi përgatitur një pyetësor, i cili nuk iu merr më shumë se 1 minutë kohë dhe mund ta plotësoni duke klikuar këtu.
1. Kuvendi miraton deklaratën për Specialen, tash fokusi te ndryshimet në ligj

Çështja e Dhomave të Specializuara mbeti në qendër të zhvillimeve politike edhe këtë javë, pasi Kuvendi i Kosovës miratoi deklaratën për aktgjykimin e Speciales, në mbrojtje të UÇK-së dhe ish-krerëve të saj.
Pas miratimit, PDK e përshëndeti deklaratën dhe kërkoi që hapi i radhës të jenë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, deklaroi se do të qëndrojnë bashkë deri në lirimin e plotë të ish-krerëve të UÇK-së.
Diskutimi tashmë është zhvendosur te iniciativa ligjore. Albin Kurti tha se brenda javës pritet mendimi i Zyrës Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë dhe kërkoi bashkëpunim politik për kundërshtimin e aktgjykimit.
Megjithatë, për renditjen e hapave ka qëndrime të ndryshme: Mimoza Kusari-Lila tha se fillimisht duhet të zgjidhet presidenti, ndërsa OVL-UÇK kërkoi procedimin sa më të shpejtë të projektligjit.
Pas deklaratës së Kuvendit, debati politik tashmë është përqendruar te hapat konkretë dhe nëse do të ketë mbështetje të mjaftueshme për ndryshimin e ligjit.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme
2. Tetë parti shqiptare bashkohen për zgjedhjet në Serbi

Partitë politike shqiptare në Luginën e Preshevës kanë arritur marrëveshje për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet në Serbi më 25 tetor, duke bashkuar forcat për përfaqësimin e shqiptarëve në parlamentin serb.
Marrëveshja u arrit në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, ndërsa koalicioni do të përbëhet nga tetë subjekte politike shqiptare. Listës së përbashkët do t’i prijë Shaip Kamberi.
Pas arritjes së marrëveshjes reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se bashkimi i shqiptarëve në këto zgjedhje mund të jetë historik.
Me listën e përbashkët, partitë shqiptare synojnë të koordinojnë votën dhe përfaqësimin e tyre politik në zgjedhjet e 25 tetorit.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme
3. Kosova para Izraelit: deklaratat, ndryshimet dhe formacioni i mundshëm

Në prag të përballjes me Izraelin, vëmendja është përqendruar te gjendja e Dardanëve, ndryshimet që mund të bëjë Franco Foda dhe forma e dy skuadrave para një ndeshjeje të rëndësishme.
Përzgjedhësi Franco Foda deklaroi se Izraeli është një ekip i mirë dhe pret një ndeshje të fortë, ndërsa Ilir Krasniqi theksoi se Kosova duhet të përmirësohet dhe të mësojë nga ndeshja e kaluar.
Në aspektin taktik, Foda pritet të bëjë sërish disa lëvizje, ndërsa Telegrafi Sport ka sjellë edhe formacionin e mundshëm të Kosovës ndaj Izraelit.
Para ndeshjes, në fokus janë edhe shifrat: vlera e dy kombëtareve, lojtarët më të shtrenjtë, renditja në FIFA dhe forma në 10 ndeshjet e fundit japin një pasqyrë të qartë të sfidës që e pret Kosovën.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Sport
4. Dramë në fluturimin Dubai-Tel Aviv

Një incident i pazakontë në një fluturim të Flydubai drejt Tel Avivit mori vëmendje ndërkombëtare këtë javë, pasi një përleshje mes dy pilotëve në kabinë shkaktoi alarm për një rrëmbim të mundshëm dhe ngritjen në ajër të aeroplanëve luftarakë izraelitë.
Detaje të reja që dolën më pas treguan për momentet dramatike në bord. Sipas raportimeve, një stomatolog i dha ndihmë kapitenit, ndërsa pasagjerët ndërhynë për të vënë situatën nën kontroll.
Nga aeroplani u publikuan edhe pamje të momenteve të tensionit, ndërsa një prej pasagjerëve rrëfeu se si ndërhyri për ta neutralizuar pilotin.
Ngjarja mori jehonë edhe në Izrael, ku kryeministri Benjamin Netanyahu takoi pasagjerin që kishte ndërhyrë gjatë incidentit, duke e quajtur atë “hero” dhe “luan”.
Nga alarmi fillestar deri te dëshmitë dhe pamjet nga bordi, incidenti në fluturimin Dubai–Tel Aviv u shndërrua në një nga ngjarjet më të pazakonta të javës në aviacion.
5. Podcastet e javës në Telegrafi

“Përballje”: I ftuar ishte Arben Mustafa, i cili foli për zhvillimet politike rreth Dhomave të Specializuara, duke theksuar se projektligji për Specialen nuk duhet të bëhet pjesë e pazareve politike për presidentin.
“Shëndeti në rend të parë”: Stomatologu Berat Lenjani foli për kujdesin ndaj dhëmbëve dhe problemet që nisin që nga fëmijëria, duke theksuar se armiku më i madh i shëndetit oral mbetet moskujdesi nga vetë pacienti.
“Arena e Yjeve”: Mysafir ishte Gani Sejdiu, i cili rikujtoi sukseset me Trepçën dhe Feronikelin, si dhe foli për sfidat e futbollit në Kosovë.
Për më shumë episode vazhdoni në hapësirën për Podcaste
⚡Të tjera që duhet t’i dini
Nga Gjermania, Franca e Norvegjia - këta janë tre gjyqtarët që do të shqyrtojnë aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së
Vlora Hyseni kërkon heqjen e “arrestit në shtëpi”, ankimon masën e sigurisë në Apelin e Posaçëm
Videot intime të personazheve publike, Policia e Shtetit nis hetimin për faqet që i shpërndanë
Çfarë i ndodh trurit tuaj kur keni sheqer të lartë në gjak
Për më shumë informacione vazhdoni në portalin Telegrafi

