☕Mirëmëngjesi!

☀️ Një javë ku u kthye dielli dhe me të, sikur u rikthyen edhe disa zhvillime më pozitive. Pas një periudhe më të ngarkuar, ritmi i ngjarjeve këtë herë solli më shumë balancë mes sfidave dhe hapave përpara.

🤝 Në vend, Presidenca hyri në një fazë të re, ndërsa procesi politik vazhdon në kërkim të një zgjidhjeje. Në skenën globale, tensionet mes SHBA-së dhe Iranit kaluan nga paralajmërimet te një armëpushim i përkohshëm, duke dhënë sinjale për stabilizim. Në sport, forma e Fisnik Asllanit vazhdon të tërheqë vëmendje dhe interesim nga klubet e mëdha, ndërsa përtej Tokës, misioni Artemis II shënoi një hap historik në rikthimin e njerëzimit drejt Hënës pas më shumë se pesë dekadash.

1. Presidenca në fazë të re, vendi në kërkim të zgjidhjes

Kosova ka hyrë në një fazë të re institucionale pasi Vjosa Osmani përfundoi mandatin, ndërsa detyrën e presidentes e mori përkohësisht Albulena Haxhiu, e cila u bë zyrtarisht ushtruese detyre. Në adresimin e saj të fundit, Osmani theksoi seIntegriteti nuk negociohet, Kosova mbi gjithçka”.

Pas kësaj vëmendja u zhvendos edhe te zhvillime të tjera, përfshirë ndryshimin e emrit të faqes zyrtare të Presidencës në Facebook.

Nga ana tjetër, ushtruesja e detyrës, Haxhiu, deklaroi se do të respektojë Kushtetutën dhe bëri thirrje për bashkëpunim politik, ndërsa paralajmëroi edhe mundësinë e zhvillimeve të tjera institucionale nëse nuk arrihet marrëveshje.

Ndërkohë, procesi për zgjedhjen e presidentit të ri mbetet i hapur, me qëndrime të ndryshme nga partitë politike, siç pasqyrohet në pozicionet e opozitës dhe shumicës.

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme

2. SHBA–Iran: nga paralajmërimet te armëpushimi

Zhvillimet mes SHBA-së dhe Iranit këtë javë kaluan nga retorika e ashpër në një marrëveshje të përkohshme. Fillimisht, Donald Trump lëshoi një sërë deklaratash paralajmëruese, duke folur për një “ditë ferri” për Iranin dhe skenarë ekstremë, ndërsa nga Pentagoni u paralajmërua edhe një sulm i mundshëm i madh ushtarak.

Nga ana tjetër, Irani reagoi me tone të njëjta, duke paralajmëruar se i gjithë rajoni mund të përfshihet në konflikt. Megjithatë, dinamika ndryshoi shpejt, pasi Trump njoftoi se do të pezullonte bombardimet për dy javë, duke hapur rrugën për negociata.

Kjo çoi në një zhvillim të papritur: SHBA dhe Irani ranë dakord për një armëpushim të përkohshëm, i cili u përshëndet nga vet Trump si një hap drejt paqes. Procesi u ndërmjetësua edhe nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë rolin e Pakistanit në arritjen e marrëveshjes.

Megjithatë, armëpushimi mbetet i brishtë dhe i shoqëruar me reagime të ndryshme nga liderët botërorë, siç pasqyrohet në qëndrimet e vendeve evropiane.

Nga kërcënimet për përshkallëzim te përpjekjet për stabilitet, kjo mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në skenën globale.

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Bota

3. Fisnik Asllani në formë: gola, vëmendje dhe interesim nga gjigantët

Sulmuesi Fisnik Asllani po vazhdon të jetë një nga emrat më në formë në Bundesligë, me paraqitje që po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje. Ai u rikthye në skenë te Hoffenheimi me një eurogol ndaj Mainz 05, ndërsa Bundesliga publikoi edhe momentet më të mira të tij, duke konfirmuar formën e lartë.

Performancat e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re. Figura të njohura të futbollit gjerman e shohin si një profil që mund të përshtatet në nivele më të larta, si në vlerësimin se mund të ishte zgjedhje për Dortmundin.

Interesimi shkon edhe më tej, me klube të mëdha evropiane që po e ndjekin nga afër. Raportimet sugjerojnë se Barcelona e sheh si pasues të mundshëm të Lewandowskit, ndërsa tashmë është bërë publik edhe çmimi i tij në treg.

Nga golat te interesimi i klubeve të mëdha, Asllani po kalon një moment që mund të shënojë hapin e radhës në karrierën e tij.

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën SPORT

4. Artemis II: rikthimi i njerëzimit drejt Hënës pas 50 vitesh

Misioni Artemis II i NASA shënoi një moment historik, duke u nisur për vizitën e parë drejt Hënës pas më shumë se 50 vitesh. Ky mision jo vetëm që riktheu njerëzimin në orbitën hënore, por solli edhe një perspektivë të re për eksplorimin e hapësirës.

Gjatë udhëtimit, astronautët arritën rekorde të reja, duke u bërë ekipi që arriti distancën më të largët nga Toka ndonjëherë, ndërsa përjetuan edhe momente unike si vëzhgimi i anës së errët të Hënës.

Pamjet e publikuara nga NASA ofruan një këndvështrim të rrallë të planetit tonë, si në fotot mahnitëse të Tokës nga hapësira, duke rikujtuar dimensionin e vogël të botës sonë në univers.

Pas përfundimit të misionit, Artemis II përmbylli me sukses udhëtimin rreth Hënës dhe nisi kthimin drejt Tokës, duke hapur një kapitull të ri në epokën moderne të eksplorimit hapësinor.

Për më shumë informacione vazhdoni në portalin Telegrafi

4. Edukimi, analiza dhe inspirimi – podcastet e javës

Shëndeti në rend të parë: Seksologu Hajrullah Fejza trajtoi një temë të ndjeshme, duke folur për mungesën e edukimit seksual dhe pasojat e saj.

Arena e Yjeve”: Ggazetarët e Telegrafi Sport sollën një analizë të ciklit kualifikues të Kosovës për Botërorin 2026, duke diskutuar performancën dhe rrugëtimin e ekipit.

Rrugëtimi: Bardha Qirezi ndau perspektivën e saj për integritetin dhe arsimin, duke sjellë një rrëfim me fokus në zhvillimin personal dhe profesional.

Për më shumë episode vazhdoni në faqen për PODCASTE

Të tjera që duhet t’i dini

Për më shumë informacion vazhdoni në portalin Telegrafi

Reply

Avatar

or to participate

Keep Reading