
☕ Mirëmëngjesi!
🌦️ Një fundjavë me diell, e pastaj një fillim jave që solli disa reshje të shkurtra që sikur reflektuan pasqyrimin e ngjarjeve të javës.
👩⚖️ Nga një vendim i rëndësishëm gjyqësor në rastin e Liridona Ademaj, te një moment krenarie në sport me Muriqin. Në anën tjetër, Selin triumfon në BBVA 5, duke mbyllur një sezon plot emocione, ndërsa podcastet e javës sjellin diskutime që shkojnë nga politika te shëndeti dhe sporti.
📧 Duam ta përmirësojmë vazhdimisht newsletter-in tonë dhe për këtë na duhet mendimi juaj, kemi përgatitur një pyetësor, i cili nuk iu merr më shumë se 1 minutë kohë dhe mund ta plotësoni duke klikuar këtu!
1. Përjetë prapa grilave

Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, një ngjarje që kishte tronditur opinionin publik. Sipas vendimit, Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vite burgim.
Pas shpalljes së aktgjykimit, familjarët e viktimës reaguan duke e cilësuar vendimin si një hap drejt drejtësisë. Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, theksoi rëndësinë e këtij vendimi për familjen, ku shtoi gjithashtu se tani “amaneti ka shkuar në vend”.
Reagime pati edhe nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Përfaqësues të institucioneve e cilësuan vendimin si një përgjigje të fortë ndaj krimit, ndërsa edhe zyra e OKB=së në Kosovë përshëndeti aktgjykimin.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme
2. Muriqi shkruan historinë

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi ishte emri më i përfolur i javës në futbollin evropian, pasi u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Mallorcas, duke kaluar legjendën Samuel Eto'o. Një arritje që mori jehonë të madhe, me media si Marca që i kushtuan një “poemë” për ndikimin e tij në skuadër.
Vetë Muriqi e cilësoi këtë moment si realizim të një objektivi personal, duke theksuar se e kishte besuar gjithmonë se do të bëhej legjendë e klubit, ndërsa edhe Eto’o reagoi me një mesazh vlerësues për arritjen e yllit nga Kosova.
Forma e tij e lartë vazhdon, me Muriqin që është edhe në garë për lojtarin e muajit në La Liga. Kjo ka shtuar interesimin nga klubet e mëdha, me raportime për mundësinë e një transferimi te Barcelona dhe rikthimin në fubtollin turk.
Në këtë mes, Mallorca ka vendosur kufijtë, duke bërë të qartë se ylli dardan nuk largohet lehtë, duke edhe i vendosur çmim fiks.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Sport
3. Selin fiton Big Brother Vip Albania 5

Finalja e Big Brother VIP Albania 5 përfundoi me fitoren e Selin Bollati, e cila u shpall zyrtarisht fituese e edicionit të shtunën. Rezultati ishte në linjë edhe me pritshmëritë e publikut, pasi në sondazhin e Telegrafit prej mbi 18 mijë votash, ajo kryesoi me 56% të votave.
Pas fitores, Selin reagoi me një mesazh emocional, në postimin e saj pas finales, ajo falënderoi të gjithë për përkrahjen. Miri si i dyti theksoi se nuk ka pendesa dhe se gjithçka shkoi siç e kishte parashikuar.
Nga ana tjetër, Mateo si i treti u shpreh se ka fituar mbështetjen e publikut dhe mbetet i kënaqur me rrugëtimin. Ndërsa Rogerti si i fundit në finale ngriti pikëpyetje për rezultatin në reagimin e tij pas finales.
Finalja e këtij edicioni solli emocione, reagime dhe diskutime, duke mbyllur një sezon që mbajti vëmendjen e publikut deri në fund.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Magazina
4. Politikë, sport dhe shëndet – çfarë sollën podcastet

“Përballje”: Analisti Imer Mushkolaj trajtoi zhvillimet politike, duke folur për çështjen e presidentit dhe përgjegjësinë e klasës politike.
“Arena e Yjeve”: Mysafir ishte Agon Ramadani, i cili ndau rrugëtimin e tij nga futbolli i madh te futsalli.
“Shëndeti në rend të parë”: Kirurgu Arbër Morina foli për çështje shëndetësore, duke shpjeguar rrezikun nga gurët në idhëz dhe kur duhet ndërhyrë.
Për më shumë episode tjera vazhdoni në faqen e Podcaste
Top 5
"Zëvendëskryeministrin, MPJ-në dhe tri ministri të tjera”, Kurti: Abdixhiku refuzoi ofertat tona për bashkëqeverisje
“Ëndërr të luash kundër tij”, Adri Mehmeti rrëfen emocionet, flet për debutimin, golin dhe përballjen kundër Lionel Messit
Nga krimi, denoncimi i nënës deri tek arrestimi - gjithçka që ndodhi në Mal të Zi pas vrasjes së trefishtë
Dua Lipa ndihmon mjekët ukrainas, sigurohet një ‘pickup’ për evakuime në zonën e luftës
Ushqime më të mira të pasura me magnez, shtoja dietës tuaj
Për më shumë informacione vazhdoni në portalin Telegrafi

