
Mirëmëngjesi!
Një javë me mot të ndryshueshëm, kur herë pas here dukej se po vinte dielli, por largohej shpejt pa ngrohur mjaftueshëm. E tillë ishte edhe ritmi i zhvillimeve: të gjithë sytë te vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa mendja edhe te sfida e Kosovës në fushën e lojës. Në të njëjtën kohë, tensionet mes SHBA-së dhe Iranit dhe lëvizjet në tregjet e naftës ndikuan edhe emocionet lokale.
1. Kushtetuesja vendos për presidentin, politika përplaset për interpretimin

Gjykata Kushtetuese ka dalë me aktvendim për çështjen e presidentit, duke i dhënë një drejtim të ri debatit institucional në vend. Nga Presidenca u theksua se vendimi konfirmon se presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë shkelje kushtetuese.
Megjithatë, interpretimet politike mbeten të ndara. LVV reagoi duke theksuar se dekreti ishte antikushtetues dhe se do të angazhohen për zgjedhjen e presidentit, ndërsa nga opozita, përfshirë PDK-në, u theksua se afati 30-ditor është detyrues dhe duhet të respektohet. Nga ana tjetër, LDK ka bërë të ditur se nuk do të ketë zgjedhje sipas vullnetit politik të njëanshëm.
Në planin juridik, analizat theksojnë se afati 30-ditor është detyrues, por pasojat reale lidhen edhe me zhvillimet që mund të ndodhin pas këtij afati, siç shpjegohet në interpretimin e Cakollit.
Në thelb, vendimi i Kushtetueses nuk i dha fund krizës, por e zhvendosi atë në një fazë të re politike dhe institucionale.
Për më shumë informacione vazhdoni të lexoni rubrikën Telegrafi Lajme
2. Kosova përballë Sllovakisë

Kosova përballet me një test të rëndësishëm në kualifikimet për Botërorin 2026, me ndeshjen ndaj Sllovakisë në Bratislavë. Kjo sfidë shihet si vendimtare për ecurinë e “Dardanëve”.
Pavarësisht mungesave në skuadër, përzgjedhësi Franco Foda ka deklaruar se synimi është vetëm fitorja, duke theksuar përgatitjen maksimale të ekipit. Edhe kundërshtarët e vlerësojnë Kosovën, me analiza që e përshkruajnë si një ekip të talentuar dhe konkurrues, si në vlerësimin e ekspertëve sllovakë.
Atmosfera pritet të jetë e zjarrtë, pasi pritet një numer i madh i tifozëve nga Kosova edhe ne pjesët e dedikuara për tifozët vendas. Ndërkohë, për Kosovën ka edhe lajme pozitive, pasi një nga yjet e Sllovakisë pritet të mungojë.
Trajneri pritet t’i qëndrojë besnik formacionit të zakonshëm, siç tregohet në formacionin e mundshëm të Kosovës. Një këndvështrim interesant vjen nga Bleron Krasniqi, i cili ka luajtur në Sllovaki dhe thekson se sfida më e madhe për Kosovën mund të jenë tifozët vendas.
Në një ndeshje ku presioni është i lartë dhe detajet bëjnë diferencën, Kosova synon të marrë një rezultat që mund të ndikojë drejtpërdrejt në rrugëtimin drejt Botërorit.
Për më shumë informacione vazhdoni të lexoni Telegrafi Sport
3. SHBA-Iran: ultimatum, negociata dhe kërcënime të reja

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm, pasi Donald Trump i ka dhënë Teheranit një ultimatum 48-orësh, duke paralajmëruar sulme ndaj infrastrukturës energjetike nëse nuk arrihet marrëveshje. Në përgjigje, Irani ka sinjalizuar se mund të mbyllë plotësisht Ngushticën e Hormuzit në rast të një sulmi ushtarak.
Megjithatë, paralelisht me kërcënimet, janë hapur edhe kanale komunikimi. Trump ka deklaruar se po zhvillohen diskutime për përfundimin e konfliktit dhe se Irani është i interesuar për një marrëveshje, siç theksohet edhe në deklarimet për gatishmërinë e Teheranit.
Në këtë kuadër, SHBA ka hartuar një plan me 15 pika për t’i dhënë fund konfliktit, i cili sipas raportimeve i është dorëzuar palës iraniane. Megjithatë, zhvillimet kanë marrë kthesë, pasi Irani ka refuzuar këtë plan, duke e cilësuar si të papranueshëm.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka rritur tonet, duke paralajmëruar se do të godasë ashpër Iranin nëse nuk arrihet paqe. Situata mbetet e paqëndrueshme, mes presionit ushtarak dhe përpjekjeve diplomatike për një zgjidhje.
Për më shumë informacione vazhdoni të lexoni rubrikën Telegrafi Botë
4. Çmimi i naftës në rritje: nga Kosova te tregjet globale

Rritja e çmimeve të derivateve po ndihet edhe në Kosovë, siç raportohet, shtrenjtimi i karburanteve ka çuar në rritjen e çmimeve të biletave të autobusëve, duke rritur presionin mbi qytetarët. Ndërkohë, krahasimet tregojnë se çmimi i naftës si në Kosovë, ka ndodhur edhe në vendet ku jetojnë bashkatdhetarët.
Debati politik është intensifikuar, me kërkesa për lehtësim fiskal. Nga opozita është kërkuar ulje e TVSH-së dhe heqje e akcizës për derivatet, por kështu nuk mendon dhe pozita. Ndërsa ekspertët ekonomikë diskutojnë nëse një masë e tillë do të ishte efektive, siç analizohet në vlerësimet për uljen e TVSH-së.
Në rajon, vendet kanë nisur të reagojnë me masa të ndryshme për të përballuar rritjen e çmimeve, siç tregohet në politikat e ndërmarra në vendet fqinje. Ndërkohë, situata globale mbetet edhe më shqetësuese: paralajmërime nga industria tregojnë se Evropa mund të përballet me mungesë karburanti brenda pak ditësh, ndërsa skenarë afatgjatë sugjerojnë se nëse kriza vazhdon, ekonomitë botërore mund të përballen me pasoja serioze.
Nga ndikimi në përditshmëri deri te paralajmërimet globale, rritja e çmimit të naftës po shndërrohet në një çështje që prek çdo nivel të ekonomisë.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Telegrafi Ekonomi
5. Podcaset e javës: Inovacion, përvojë dhe këshilla që vlejnë

“Përballje”: Ministri Lulezon Jagxhiu foli për shtetin digjital dhe ndryshimet që priten deri në vitin 2027.
“Arena e Yjeve”: Futbollisti Leart Emini ndau rrugëtimin e tij nga debutimi i hershëm deri te ftesa nga Kosova.
“Shëndeti në rend të parë”: Gastroenterologu Valon Hamza ngriti shqetësimin për rritjen e kancerit kolorektal edhe tek të rinjtë, duke theksuar rëndësinë e diagnostikimit të hershëm.
“Rrugëtimi”: Në episodin e parë të podcastit më të ri nga Telegrafi, e ftuar ishte Vjollca Çavolli, e cila tregoi historinë e saj nga ëndrra për t’u bërë programere deri në lidere në sektorin e IT-së.
Për më shumë episode vazhdoni në hapsirën e dedikuar për Podcaste
⚡Të tjera që duhet t’i dini
Mes dy mijë shkencëtarëve, kosovarja del më e mira - Pranvera Hyseni fiton çmimin kryesor në konferencën më të madhe për shkenca planetare
Çifti shqiptar siguron investim prej 100 mijë euro në Gjermani me produktin inovativ NYLAM
"Peaky Blinders: The Immortal Man" me sukses të madh, ka grumbulluar më shumë se 25 milionë shikime në Netflix brenda tre ditësh
Zbulim i ri në shëndetësi: Ky ushqim mund të ndihmojë në largimin e mikroplastikës nga trupi
Pse Persia u bë Iran - historia pas ndryshimit të emrit
Për më shumë informacione vazhdoni në portalin Telegrafi

