
Mirëmëngjesi!
Një mëngjes me mot të vranët, që pasqyron edhe ritmin e kësaj jave, me lajme të rënda dhe zhvillime që kanë mbajtur vëmendjen të tensionuar. Nga tragjedia e kosovarëve në Austri, te tensionet globale në Ngushticën e Hormuzit që dërguan në rritje të çmimit të naftës, panorama nuk ka qenë e lehtë. Ndërkohë, në planin vendor të estrades, vëmendja vazhdon të jetë e përqendruar rreth Gjestit, me rastin që po vazhdon e thellohet. Megjithatë, si intervalet e shkurtra të diellit, nuk kanë munguar as momentet pozitive, po flasim për shkëlqimin e Drin “makazze” Shaqiri në triumfin e NaVi në ESL Pro League, që i bëri krenar të gjithë.
1. Tragjedia në Austri: tre kosovarë humbin jetën në vendin e punës

Kosova është tronditur nga një ngjarje e rëndë në Vjenë, ku tre shtetas të Kosovës humbën jetën në një kantier ndërtimi. Sipas mediave austriake, aksidenti ndodhi në rrethana të rënda në vendin e punës, me detaje që tregojnë për një situatë të vështirë gjatë ndërhyrjes së ekipeve emergjente.
Operacioni i shpëtimit u komplikua nga kushtet në terren, pasi betoni e vështirësoi ndërhyrjen dhe kërkoi pajisje speciale për nxjerrjen e trupave. Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë reaguar, duke bërë të ditur se janë në koordinim me familjarët për kthimin e trupave.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka rikthyer vëmendjen te kushtet e sigurisë në vendet e punës për punëtorët kosovarë jashtë vendit.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Telegrafi Lajme
2. “Makazze” në qendër të triumfit të NaVi në ESL Pro League

Në botën e eSportit, NaVi fitoi ESL Pro League, por vëmendja kryesore shkoi te talenti kosovar Drin “makazze” Shaqiri, i cili ishte ndër protagonistët kryesorë të suksesit. Ai jo vetëm që shkëlqeu gjatë turneut, por u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut (MVP) dhe nuk harroi të përmend edhe Bad News Eagles në fjalimin triumfues.
19-vjeçari u vlerësua lart nga të gjithë në botën eSports, ndërsa bashkëlojtarët e vlerësuan rolin e tij si vendimtar, duke theksuar se pa të, fitorja do të ishte shumë më e vështirë.
Historia e tij nuk lidhet vetëm me performancën aktuale, por edhe me rrugëtimin, ku një moment kyç ishte mbështetja nga Flatron “juanflatroo” Halimi, i cili duket se besoi tek talenti i ‘makazzes’ nga dita e parë.
Triumfi i NaVi dhe shpërthimi i “makazze” konfirmojnë se talentet nga Kosova po vazhdojnë të lënë gjurmë edhe në skenën globale të eSportit, ku vlen të përmendet edhe paraqitja e mirë e yllit tjetër Aulon "krabeni" Fazlija në turneun ELS ku arriti deri në gjymëfinale me ekipin e tij.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Telegrafi Sport
3. Ngushtica e Hormuzit në qendër të tensioneve globale

Në konfliktin mes Iranit dhe Izraelit, Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një nga pikat më kritike ndërkombëtare të transportit të naftës dhe mallërave tjera, pasi Irani ka ndërmarrë hapa për ta bllokuar atë. Kjo rrugë ujore ka rëndësi të madhe strategjike, siç shpjegohet në analizën për rolin e saj, duke e bërë çdo zhvillim aty çështje globale.
Në këtë kontekst, Donald Trump ka kërkuar angazhim ndërkombëtar për hapjen e ngushticës, ndërsa reagimet kanë qenë të ndara, me disa vende që shprehin gatishmëri dhe të tjera që tregojnë rezervë, përfshirë edhe BE-në që ka theksuar se nuk planifikon zgjerim të misionit detar.
Ndërkohë, pavarësisht tensioneve, trafiku detar vazhdon në nivele të ulëta: që nga fillimi i konfliktit me Iranin, rreth 90 anije kanë kaluar Ngushticën e Hormuzit, një shifër shumë e vogël, duke pasur parasysh se para luftës, kjo ishte një sasi që kalonte brenda një dite të vetme.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën e Telegrafi Botë
4. Gjesti në paraburgim, rasti thellohet me reagime dhe detaje të reja

Rasti i këngëtarit Besart Kelmendit (Gjestit) ka marrë zhvillime të reja pasi Gjykata i caktoi 30 ditë paraburgim. Sipas raportimeve, ai dyshohet se ka kërkuar me ngulm pronarin e “Onimas” në zyret e kompanisë, teksa janë publikuar edhe detaje të reja mbi mënyrën e kërcënimit.
Para gjykatës, Gjesti ka deklaruar se ka vepruar në gjendje emocionale, duke kërkuar falje për rastin. Ndërkohë, pala tjetër ka paralajmëruar publikimin e provave, ku pronari i “Onimas” paralajmëroi dhe konferencë për media.
Në të njëjtën kohë, diskutimi është zgjeruar edhe në aspektin psikologjik, ku ekspertë kanë ngritur mundësinë që gjendja e tij të lidhet me faktorë emocionalë dhe traumatikë.
Normalisht reagimet ishin të shumta edhe nga estrada si: Xheneta Fetahu, Labinot Tahiri, G Bani, Ylli Limani, Fifi, Bini Diez e shumë të tjerë.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Telegrafi Magazina
5. Analizë, përvojë dhe këshilla në podcastet e javës

“Përballje”: Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, foli për situatën aktuale në vend, duke theksuar se Kosova duhet të shkojë në zgjedhje pas dështimeve institucionale.
“Arena e Yjeve”: I ftuar ishte trajneri i njohur Tahir Lushtaku, i cili ndau rrugëtimin e tij nga periudhat e vështira deri te sukseset në futbollin kosovar.
“Shëndeti në rend të parë”: Gjinekologia me përvojë Flora Belegu-Spahija trajtoi tema kyçe për shëndetin e grave, rëndësinë e kontrollit të rregullt dhe kujdesit.
Për më shumë informacione vazhdoni në Telegrafi
⚡Të tjera që duhet t’i dini
Shqiptarja Drena Kusari merr rol kyç në Microsoft, emërohet në një nga pozitat më të larta
Senegalit i hiqet titulli, Maroku shpallet kampion i Afrikës
Çantat Faraday në tryezën e Këshillit Suprem të Mbrojtjes - pse po i përdorin ato zyrtarët italianë?
Kush çfarë dëshiron nga lufta e Iranit? Një shpjegim i detajuar
Çfarë ndodh me trupin kur ulni kripën? Ndryshimi në zemër dhe tension do t’ju befasojë
Për më shumë informacion vazhdoni në portalin Telegrafi


