
👋 Përshëndetje
☀️ Një javë me mot të mirë, megjithëse temperaturat e ulëta të mëngjesit tashmë po paralajmërojnë ardhjen e ditëve më të ftohta. Në politikë, Kosova shmangu zgjedhjet e reja në minutat e fundit, me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente dhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Në sport, Lionel Messi i dha lamtumirën Kombëtares së Argjentinës, ndërsa Telegrafi shënoi një hap të ri me lansimin e edicionit të dedikuar për diasporën.
📧 Duam ta përmirësojmë vazhdimisht newsletter-in tonë dhe për këtë na duhet mendimi juaj, kemi përgatitur një pyetësor, i cili nuk iu merr më shumë se 1 minutë kohë dhe mund ta plotësoni duke klikuar këtu.
1. Justina Shiroka-Pula presidente e Kosovës

Kosova zgjodhi presidenten e re në momentet e fundit të afatit kushtetues, duke shmangur një tjetër proces zgjedhor parlamentar. Justina Shiroka-Pula u bë gruaja e tretë që merr drejtimin e shtetit, pas Atifete Jahjagës dhe Vjosa Osmanit.
Zhvillimet nisën me propozimin e Albin Kurtit për Justina Shiroka-Pulën, ndërsa Bedri Hamza pranoi ofertën për marrëveshje, me Eliza Hoxhën si kundërkandidate. Pas negociatave politike, Kuvendi zgjodhi Shiroka-Pulën presidente të Kosovës.
Vendimtare ishte marrëveshja e arritur vetëm pesë minuta para mesnatës, e cila i hapi rrugë zgjedhjes së presidentes dhe shmangies së zgjedhjeve të reja. Ngjarja mori vëmendje edhe jashtë vendit, me raportime nga mediat rajonale dhe ndërkombëtare, ndërsa të nesërmen në mëngjes u bë dhe ceremonia shtetërore e inaugurimit.
Megjithatë, zgjedhja hapi edhe debat kushtetues. Avokati Arianit Koci iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, ndërsa ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka një vlerësim tjetër.
Përtej zhvillimeve politike që shoqëruan këtë ngjarje, vëmendje të konsiderueshme morën edhe profili e karriera akademike dhe pasuria e deklaruar e presidentes së re.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme
2. Kuvendi miraton ndryshimet në Ligjin për Specialen

Pas javësh debatesh politike dhe protestash, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Nisma e PDK-së u bë pjesë e negociatave mes partive, ku LVV-ja e lidhi marrëveshjen edhe me zgjedhjen e presidentit të ri.
Presioni publik vazhdoi deri në ditët e fundit, me protestuesit që kërkonin miratimin e ndryshimeve ligjore. Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se çështja e Speciales i tejkalon përmasat e një partie politike.
Zhbllokimi erdhi përmes marrëveshjes politike, në kuadër të së cilës Albin Kurti propozoi Justina Shiroka-Pulën për presidente, e cila u pranua nga PDK. Pas marrëveshjes mes dy partive, Kuvendi miratoi projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke i dhënë fund një prej përplasjeve kryesore politike të javëve të fundit.
Pas votimit, PDK përshëndeti miratimin e ndryshimeve dhe zgjedhjen e presidentes, ndërsa OVL-UÇK deklaroi se kishte arritur ta mbronte UÇK-në.
Hamza theksoi gjithashtu se Kuvendi ka kompetenca të shfuqizojë edhe marrëveshje ndërkombëtare.
Kështu, marrëveshja politike solli dy zhvillime të rëndësishme brenda së njëjtës natë: votimin e ndryshimeve për Specialen dhe zgjedhjen e presidentes së re.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme
3. Messi i jep lamtumirën Argjentinës

Futbolli botëror përjetoi një moment historik këtë javë, pasi Lionel Messi i dha fund karrierës me Kombëtaren e Argjentinës. Pas më shumë se dy dekadash, kapiteni legjendar u përshëndet me emocione të jashtëzakonshme nga tifozët, bashkëlojtarët dhe njerëzit më të afërt.
Argjentinasit i organizuan një lamtumirë madhështore, mes lotëve dhe duartrokitjeve, ndërsa përzgjedhësi Lionel Scaloni e cilësoi Messin më të mirin e të gjitha kohërave. Edhe rivali i tij historik, Cristiano Ronaldo, i kushtoi një mesazh të veçantë: “Historia që shkrove do të jetojë përgjithmonë”.
Emocionet ishin të dukshme edhe te familja dhe bashkëlojtarët. Antonela nuk arriti t’i mbante lotët, ashtu si Enzo Fernandez.
Vetë Messi i dha lamtumirën Argjentinës përmes një letre emocionuese, duke mbyllur një kapitull të mbushur me rekorde dhe trofe. Tashmë vëmendja është kthyer nga e ardhmja, me pyetjen se kush do ta trashëgojë fanellën legjendare me numrin 10.
Messi largohet nga kombëtarja, por historia e tij me Argjentinën do të mbetet pjesë e pandashme e futbollit botëror.
Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Sport
4. Telegrafi edhe më afër diasporës

Telegrafi ka hapur një kapitull të ri në raportimin për diasporën shqiptare, duke lansuar një edicion të dedikuar për bashkatdhetarët që jetojnë jashtë Kosovës.
Tashmë, lexuesit nga diaspora kanë një ballinë të veçantë, ku mund t'i gjejnë në një vend lajmet, historitë dhe zhvillimet që lidhen drejtpërdrejt me ta.
Edicioni i ri u prezantua në një ngjarje të organizuar në Cyrih të Zvicrës në bashkëpunim me Ridvan Muratin nga Plan B Creative, duke shënuar një hap të rëndësishëm në zgjerimin e pranisë së Telegrafit te komuniteti shqiptar në diasporë.
Përmes kësaj hapësire, lexuesit do të kenë qasje më të lehtë në artikuj për jetën, sukseset, sfidat dhe aktivitetet e shqiptarëve jashtë vendit, si dhe për lidhjet e tyre me Kosovën.
5. Podcastet e javës në Telegrafi: Nga ekonomia dhe futbolli te shëndeti e tregu i punës

“Përballje”: Shpend Ahmeti foli për agjendën “1 miliard deri më 2030” dhe potencialin e prodhimit vendor në Kosovë, duke shpjeguar mundësitë për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Arena e Yjeve”: Ish-portieri Flamur Neziri rrëfeu rrugëtimin e tij në futboll dhe angazhimin me gjeneratat e reja, duke ndarë përvoja nga karriera sportive.
“Shëndeti në rend të parë”: Onkologu Arben Bislimi foli për rëndësinë e zbulimit të hershëm të sëmundjeve dhe ndryshimet e pazakonta në trup që nuk duhen neglizhuar.
“Rrugëtimi”: Brikena Berisha trajtoi arsyet e largimit të të rinjve nga Kosova dhe pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës, duke analizuar sfidat ekonomike dhe sociale.
Për më shumë episode vazhdoni në hapësirën e dedikuar për Podcaste
⚡Të tjera që duhet t’i dini
Kishin mbetur 63 minatorë të bllokuar, Sindikata e Trepçës: Ky rast është alarm për sigurinë
E dënuara me vdekje i mbijetoi dy injeksioneve vdekjeprurëse, reagon Trump
“Do të dua deri në frymën e fundit”, Kushtrimi me dedikim emocional për Aurorën disa ditë pas martesës madhështore
Portugezët kryen një anketë në lidhje me rikthimin e Ronaldos: Shumica dërrmuese mendojnë të njëjtën gjë
Fyti ju kruhet dhe hunda ju bllokohet? Ja çfarë mund të bëni që në shenjat e para të ftohjes
Për më shumë informacione vazhdoni në portalin Telegrafi
