👋 Përshëndetje

☀️ Një javë kryesisht me diell na përcolli në Kosovë, ndërsa zhvillimet politike ishin sërish në qendër të vëmendjes. Kushtetuesja konfirmoi Qeverinë dhe përcaktoi afatin për zgjedhjen e presidentit, ndërsa PDK procedoi ndryshimet për Ligjin e Speciales dhe protestat vazhduan në Prishtinë. Në sport, Kosova nis një kapitull të ri në Ligën e Kombeve, kurse në botë, Asambleja e OKB-së solli në një skenë tensionet rreth Gazës, Iranit dhe Ukrainës.

📧 Duam ta përmirësojmë vazhdimisht newsletter-in tonë dhe për këtë na duhet mendimi juaj, kemi përgatitur një pyetësor, i cili nuk iu merr më shumë se 1 minutë kohë dhe mund ta plotësoni duke klikuar këtu.

1. Vendimi i Kushtetueses ndryshon skenarët

Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin për kërkesat e PDK-së lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, duke konstatuar se Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën.

Sa i përket presidentit, Gjykata ka sqaruar se afati 60-ditor për zgjedhjen e tij ka nisur më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Për Kuvendin, Kushtetuesja ka konstatuar se ai është konstituuar më 13 shtator, por pas skadimit të afatit 30-ditor, dhe se deputetët duhet të zgjedhin edhe nënkryetarin e dytë.

Me Qeverinë të konfirmuar si kushtetuese, fokusi politik tani zhvendoset te zgjedhja e presidentit deri më 6 tetor dhe te përmbyllja e plotë e formimit të institucioneve.

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme

2. Kosova nis kampanjën në Ligën e Kombeve

Kosova po hyn në një kapitull të ri në Ligën e Kombeve, me një skuadër të ndryshuar dhe disa emra të rinj në dispozicion të Franco Fodës. Përzgjedhësi publikoi listën me Dion Kaçurin, Erblin Osmanin dhe Milot Avdylin si prurje të reja, duke sinjalizuar fillimin e një cikli të ri për Dardanët.

Paralelisht, Kombëtarja po përballet edhe me fundin e një epoke. Amir Rrahmani u pensionua nga Kosova, ndërsa më pas edhe Valon Berisha dhe Fidan Aliti i dhanë fund rrugëtimit me fanellën dardane.

Mes largimeve dhe emrave të rinj, fokusi tani është te fusha. Kosova nis sonte misionin e ri në Ligën e Kombeve ndaj Irlandës, me synimin për një start pozitiv dhe një fillim të ri në këtë cikël.

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Sport

3. PDK procedon ndryshimet për Specialen, protestat vazhdojnë në Prishtinë

Zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara vazhduan të jenë në qendër të zhvillimeve politike edhe këtë javë. PDK dorëzoi në Kuvend kërkesën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke propozuar një sërë ndryshimesh në funksionimin dhe mbikëqyrjen e këtij mekanizmi.

Paralelisht, në sheshin “Skënderbeu” vazhduan protestat kundër aktgjykimit të Speciales ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, me qytetarët që për tetë netë me radhë u mblodhën nën moton “Jo në emrin tim”.

Në këtë atmosferë reaguan edhe familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, të cilat iu përgjigjën u.d të presidentes Albulena Haxhiut pas ftesës së saj për takim.

Nga Kuvendi te protestat në shesh, çështja e Speciales vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme politike dhe shoqërore në Kosovë..

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme

4. OKB në fokus: Gaza, Ukraina dhe Irani dominojnë debatin global

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në New York ishte në qendër të vëmendjes këtë javë, me liderët botërorë që adresuan luftërat, sigurinë dhe tensionet ndërkombëtare.

Lindja e Mesme zuri një pjesë të madhe të debatit. Donald Trump kërcënoi Iranin me “asgjësim”, ndërkohë që Washingtoni dhe Teherani zhvillonin bisedime në prapaskenë, ndërsa presidenti iranian kritikoi SHBA-në. Gaza ishte një tjetër temë kryesore, me Erdogan që kërkoi nisjen e menjëhershme të rindërtimit dhe Macron që e cilësoi të turpshme qëndrimin pasiv ndaj situatës atje.

Trump tërhoqi vëmendje edhe me deklaratën se ka përfunduar tetë luftëra, duke përfshirë konfliktin Kosovë–Serbi, ndërsa veçoi Kosovën dhe Shqipërinë duke i falënderuar për angazhimin e trupave në Gaza.

Nga Gaza dhe Irani te Ukraina e siguria evropiane, New Yorku u shndërrua këtë javë në qendrën e diplomacisë dhe përplasjeve më të mëdha globale.

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Botë

5. Podcastet e javës në Telegrafi

“Shëndeti në rend të parë”: E ftuar ishte oftalmologia Mirlinda Kubati, e cila foli për strabizmin, dioptrinë te fëmijët dhe rëndësinë e kontrolleve të hershme të syve, duke shpjeguar pse diagnostikimi në kohë është vendimtar për trajtimin.

“Arena e Yjeve”: Gazetarët e Telegrafi Sport analizuan Kombëtaren e Kosovës para sfidave në Ligën e Kombeve, me fokus te pensionimet, prurjet e reja dhe ndryshimet që po pëson skuadra e Franco Fodës.

Për më shumë episode, vizitoni hapësirën për Podcaste

⚡Të tjera që duhet t’i dini

Për më shumë informacione vazhdoni në portalin Telegrafi

Reply

Avatar

or to participate