👋 Përshëndetje

Kosova u tronditë nga vrasja e një gruaje dhe me këtë rast nga papërgjegjësia e institucioneve. Spanja u përball me një tragjedi me dhjetëra viktima, kurse në rajon, Serbia përjetoi një kthesë politike. Në sport Kosova e Shqipëria vazhdojnë garën për të 'rrëmbyer' lojtarë njëra-tjetrës.

Këto zhvillime, por dhe të tjera, duke mos harruar podcastet javore, mund t'i lexoni të zgjeruara më poshtë.

Duam ta përmirësojmë vazhdimisht newsletter-in tonë dhe për këtë na duhet mendimi juaj, kemi përgatitur një pyetësor, i cili nuk iu merr më shumë se 1 minutë kohë dhe mund ta plotësoni duke klikuar këtu.

1. Vrasja e Arlinda Zekajt trondit Kosovën

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës tronditi Kosovën dhe nxiti reagime të shumta për mënyrën se si institucionet trajtojnë rastet e dhunës ndaj grave.

Sipas raportimeve fillestare, Arlinda dyshohet se u vra me një mjet të fortë nga kunati i saj. Policia shpalli në kërkim Albert Sylajn, i cili më pas shprehu gatishmëri për t'u vetëdorëzuar, por vendosi një kusht. Pas zhvillimeve të hetimit, gjykata i caktoi një muaj paraburgim, ndërsa dosja e Prokurorisë zbardhi kronologjinë e ngjarjes.

Një nga zhvillimet më shqetësuese ishte publikimi i fjalëve që Arlinda kishte lënë tri ditë para vrasjes, përmes të cilave kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj. Ndërkohë, avokatja e viktimës deklaroi se kishte dorëzuar ankesë disiplinore ndaj prokurores, duke ngritur akuza të rënda për përgjegjësinë institucionale. Pas këtyre zhvillimeve, kryeprokurori kërkoi raport për trajtimin e rasteve të Arlindës dhe paralajmëroi masa nëse konstatohen shkelje.

Hetimet përfshinë edhe ish-bashkëshortin e viktimës, Jeton Sylajn, ndaj të cilit u caktua një muaj paraburgim. Gjatë paraqitjes para gjykatës, ai shprehu keqardhje për ngjarjen dhe deklaroi se ishte përpjekur ta parandalonte.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka rikthyer në qendër të debatit publik një pyetje thelbësore: A po mbrohen në kohë gratë që denoncojnë dhunën dhe paralajmërojnë se jeta e tyre është në rrezik?

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Lajme

2. Kosova dhe Shqipëria në garë

Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në futboll janë duke punuar për të përforcuar kombëtaret me futbollistë të rinj që po zhvillojnë karrierën në klubet evropiane.

Një nga emrat që ka tërhequr vëmendjen e Kosovës është Arnis Ademi, talenti i Fiorentinës që është pranë debutimit në Serie A. Futbollisti ka konfirmuar se është kontaktuar nga Kosova dhe ka theksuar lidhjen emocionale që ndien me vendin.

Ndërkohë, Enis Rexhepi, sulmuesi i Stuttgartit, është takuar me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për ta afruar te Dardanët. Vlen të theksohet se Rexhepi, më parë ka qenë pjesë e grupmoshave të Shqipërisë.

Në anën tjetër, Shqipëria ka pajisur me pasaporta dy futbollistë, një me prejardhje nga Kosova dhe një italian. Njëri prej tyre ka qenë më parë pjesë e grupmoshave të Kosovës, duke e bërë edhe më të komentuar vazhdimësinë e kalimit të lojtarëve të Kosovës te Shqipëria. 

Këto zhvillime tregojnë se Kosova dhe Shqipëria tani janë në ‘garë’ për të përforcuar secila më shumë kombëtaret..

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Sport

3. Ndryshim politik në Serbi

Serbia u përball këtë javë me një kthesë të madhe politike, pas fitores së Listës Studentore në zgjedhje dhe humbjes së pushtetit nga kampi i Aleksandar Vuçiqit. Rezultati ka hapur një kapitull të ri debatesh për drejtimin e vendit, marrëdhëniet me Kosovën dhe të ardhmen evropiane të Serbisë.

Me fitoren e Listës Studentore, vëmendja është zhvendosur te drejtimi që mund të marrë Serbia. Çfarë qëndrimesh ka lëvizja ndaj Kosovës, Bashkimit Evropian dhe çështjeve të tjera të rëndësishme? Kjo është një nga pyetjet kryesore, krahas interesimit për figurat në krye që udhëheqin lëvizjen politike të mbështetur nga studentët.

Për Kosovën, një çështje veçanërisht e ndjeshme mbetet përgjegjësia për sulmin në Banjskë. A do ta dorëzojë Lista Studentore Milan Radoiçiqin tek autoritetet e Kosovës? Kjo pyetje ka marrë rëndësi në diskutimet për politikën e ardhshme të Beogradit.

Ndërkohë, rruga evropiane e Serbisë mbetet e lidhur me politikën e saj të jashtme. Komisionerja evropiane Marta Kos theksoi se Serbia nuk mund të përparojë drejt BE-së pa vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Për më shumë informacione vazhdoni në nën-rubrikën Ballkan

4. Tragjedi hekurudhore në Spanjë

Spanja u trondit këtë javë nga një aksident i rëndë hekurudhor, ku përplasja e dy trenave të shpejtësisë së lartë shkaktoi dhjetëra viktima dhe të plagosur. 

Sipas raportimeve për aksidentin, të paktën 64 persona humbën jetën dhe 80 të tjerë u lënduan.

Ndërsa hetimet vazhduan, dolën detaje të reja se njëri prej trenave kishte marrë leje të kalonte në semafor të kuq. Ky informacion ngriti pyetje për procedurat e sinjalizimit dhe vendimmarrjen që i parapriu përplasjes, por hetimet e thella po vazhdojnë.

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikën Botë

5. Harry Kane fiton Topin e Artë 2026

Harry Kane është fituesi i Topit të Artë 2026, duke kurorëzuar një vit të jashtëzakonshëm dhe duke lënë pas dy rivalët kryesorë, Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal. 

Triumfi i Kane riktheu  në vëmendje edhe rrugëtimin e tij, në Kosovë historinë e përballjeve të anglezit me Dardanët përfshin gola, fitore dhe një penallti të humbur në Prishtinë. Ndërkohë, pas ceremonisë u publikuan edhe votat e Kosovës dhe votat e Shqipërisë për çmimin prestigjioz.

Gara e këtij viti riktheu në vëmendje edhe emrat më të mëdhenj të futbollit. Lionel Messi vendosi një rekord të jashtëzakonshëm në historinë e Topit të Artë, ndërsa arsyet pse Kylian Mbappe nuk arriti ta fitonte çmimin u bënë pjesë e analizave pas ceremonisë. Lamine Yamal, i cili përfundoi i treti, reagoi me mesazhin “Koha ime do të vijë”.

Për më shumë informacione vazhdoni në rubrikë Sport

6. Podcastet e javës në Telegrafi

“Përballje”: E ftuar ishte Jehona Lushaku-Sadriu, e cila kritikoi politikat ekonomike të qeverisë dhe masat financiare për qytetarët. Por, ajo foli edhe për zhvillimet e fundit në LDK, Ligjin për Specialen, arsimin në Kosovës e shumë tema tjera. 

“Arena e Yjeve”: Këtë herë në qendër të diskutimit ishin vetë gazetarët e Telegrafi Sport, të cilët analizuan zhvillimet në Ligën e Kampionëve, triumfin e Harry Kane në garën për Topin e Artë dhe derbit e fundjavës, duke sjellë vlerësime për paraqitjet e skuadrave dhe futbollistëve.

“Shëndeti në rend të parë”: E ftuar ishte Saranda Jakupi, e cila ndau rrëfimin e saj për betejën me kancerin e gjirit dhe forcën që merr nga djali i vogël. Përmes një historie personale dhe emocionale, ajo foli për sfidat e trajtimit, përballjen me sëmundjen dhe rëndësinë e mbështetjes familjare.

Për më shumë episode vazhdoni në hapësirën për Podcaste

⚡Të tjera që duhet t’i dini

Për më shumë informacione vazhdoni në portalin Telegrafi

Reply

Avatar

or to participate